Kategoria e Dytë do të luajë sot javën e gjashtë të saj. Një nga sfidat interesante që do të luhet ditën e sotme, do të jetë edhe Valbona-Veleçiku, të cilët do të luajnë kundër njëri-tjetrit në fushën e ekipit tropojan.

Koplikasit ndodhen në një distancë prej dy pikësh nga tropojanët, të cilët edhe ata nga ana e tyre i kanë dhënë një vlerësim maksimal kësaj ndeshjeje, duke ditur që Veleçiku është një nga ekipet pretendente të kampionatit.

Këtë sezon, skuadra e Dritan Smajlit synon të ngjitet me patjetër në Kategorinë e Parë. Kjo ndeshje mund të jetë përcaktuese për vazhdimësinë, teksa në rast fitoreje, koplikasit do të hidhnin një hap shumë të rëndësishëm për arritjen e objektivit të tyre, duke marrë në konsideratë që Valbona është një rival direkt.

Në fakt, pavarësisht disa mungesave, futbollistët e drejtuar nga trajneri Dritan Smajli janë të vendosur për ta kaluar me sukses këtë sfidë ndaj tropojanëve, ku padyshim që edhe një pikë do të konsiderohej pozitive, duke marrë në konsideratë synimet që ka skuadra e Valbonës dhe faktorin fushë.

Koplikasit vijnë me moral disi të ulët pas asaj humbjeje javën e kaluar në shtëpi ndaj Sopotit 1-2, por gjithsesi ditën e sotme ndaj ekipit tropojan, do të synojnë maksimumin. Ndeshja Valbona-Veleçiku do të luhet ditën e sotme në stadiumin e qytetit të Tropojës, duke nisur nga ora 13:30.
Maringlen ZHIVANI