Për të tentuar driblimin e kundërshtarit në fushë nevojiten shumë aftësi: cilësi teknike, shpejtësi dhe personalitet. Lojtarët të cilët kërkojnë shpesh duelet një për një për të kaluar kundërshtarët janë lojtarët më të kërkuar në merkaton e futbollit dhe janë ata që arrijnë të zgjidhin momentet e vështira të ndeshjeve.

Sipas vëzhgimit të bërë nga Departamenti i Analizës, Inovacionit dhe Skautizmit në FSHF, është gjithmonë më e rëndësishme të fitosh duelet sesa t’i kërkosh ato, por kushdo që provon të driblojë shumë herë kundërshtarët është sigurisht një futbollist tek i cili skuadra beson për të bërë diferencën në fushë.

Në renditjen e realizuar në këtë vëzhgim për kampionatin “Abissnet Superiore” vihet re se lojtari që arrin të tentojë më shumë driblime gjatë një ndeshjeje është Mentor Mazrekaj i Laçit, i ndjekur në vendin e dytë nga Liridon Latifi i Vllaznisë dhe Jackson i Egnatias. Është interesant fakti e në këtë renditje bëjnë pjesë lojtarët më të spikatur të kampionatit “Abissnet Superiore” dhe ata të cilët kanë qenë vendimtar për ekipet e tyre gjatë këtij sezoni.

Stilet e lojës së skuadrave ndikojnë gjithashtu në këtë statistikë: ka trajnerë që u besojnë individëve të caktuar dhe mbështeten në aftësitë e tyre teknike, ndërsa të tjerë preferojnë të sulmojnë përmes pasimeve të shumta, duke reduktuar duelet një me një. Kjo nuk e ul vlerën e statistikave, por përkundrazi e rrit atë: prania e më shumë lojtarëve nga Partizani dhe Egnatia në top-dhjetëshen e kampionatit, të cilët tentojnë të driblojnë më shumë, është edhe pasojë e stileve të lojës së këtyre skuadrave.

Mund të shohim gjithashtu se si në këtë renditje janë disa nga lojtarët që po bëjnë paraqitjet më të mira në përgjithësi në këtë kampionat, një shenjë se të provosh të driblosh nuk është një gjë e lehtë për të gjithë.