Ardit Krymi mendon se gjykimi në ndeshjen Partizani-Vllaznia 1-1 ndikoi direkt në rezultat. Mesfushori titullar i shkodranëve, në një intervistë për “Panorama Sport”, theksoi se ndeshja e së premtes në Korçë ndaj Skënderbeut vlen vetëm tri pikë.

Shkodrani është i bindur se Vllaznia nuk ka hequr dorë nga titulli kampion, paçka se Tirana është shkëputur shumë. Sipas tij, janë edhe shumë pikë në lojë, prandaj dhe skuadra beson shumë te një vazhdimësi perfekte. Krymi deklaroi se tani është e rëndësishme që ekipi të mos lërë më pikë.


Ardit, një pikë ndaj Partizanit. Mendoni se mund të merrnit më shumë apo jeni i kënaqur?

Ne u futëm në vetëm për tri pikë, por fatkeqësisht dolëm vetëm me një. Gjithsesi, me mënyrën se si shkoi ndeshja, duhet të jemi të kënaqur me atë që morëm.

Dalja e Hakajt me karton të kuq jua imponoi kthimin në mbrojtje?

Ne besuam deri në fund te fitorja, por duke pasur parasysh kundërshtarin dhe faktin që ishim për shumë minuta me një lojtar më pak, barazimi mund të quhet i pranueshëm.


Ju gjykoni se ndikoi arbitrimi në rezultat?

Po, ndikoi pak. Së pari, Bitri duhet të dilte me karton të kuq dhe sot do të flisnim ndryshe. Pra, kjo kishte, pse jo, ndikimin e vet në ecurinë e lojës, pasi më pas u prishën ekuilibrat.


Skuadra vazhdon të shpërdorojë raste…?

Fati është pjesë e lojës. Ka momente që e ke, ka momente që s’e kemi pasur me vete. Nuk duhet të qajmë atë që ka një ekip të mirë dhe nuk duhet nënvlerësuar.

Fitorja është objektivi i vetëm në këtë takim?

Normalisht që na duhet vetëm fitorja.

Presidenti Xhaferi deklaroi pas ndeshjes me Partizanin se Vllaznia nuk do të heqë dorë nga titulli. Ju, si mendoni, keni ende shanse të kapni Tiranën?

Janë shumë pikë në lojë dhe sigurisht që ne nuk do të heqim dorë. Do të shikojmë ndeshje pas ndeshjeje me objektivin për të marrë maksimumin. Rëndësi ka që të mos lëmë më pikë.