Shkruar nga Gjergj KOLA
Mesfushori shkodran Sabah Kerjota e ka nisur mbarë kampionatin skocez të futbollit për këtë sezon. Për të dytën javë rresht të këtij kampionati, ai është në fushë si titullar me skuadrën e tij Hearts.
Madje ditën e sotme ai ka qenë edhe protagonist me lojën e tij dhe po ashtu edhe me një asist të dhënë duke ndihmuar skuadrën pjesë e të cilës ai është të fitojë me rezultatin e pastër 4-0 ndaj Dundee United.
24 vjeçari në minutën e 56-të ka dhënë asist për Braga që nuk ka hezituar ta çojë topin në rrjetë duke shënuar golin e tretë për Hearts. Paraqitja e Kerjotës ka qenë e mirë dhe jo më kot trajneri Vrancken e ka lënë në fushë për 90 minuta.
Fakti që në dy ndeshjet e para ka qenë në fushë si titullar dhe për më tepër sot edhe me një asist, tregon se ky sezon i dytë i ish- futbollistit të Akademisë Vllaznia në elitën e futbollit skocez do të jetë shumë më ndryshe dhe në ndeshjet e ardhshme do ta shohim Kerjotën duke qenë sërish protagonist me lojën, golat dhe asistet e tij.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


