Shkruar nga Endri ÇINARI
Kupa e Shqipërisë rikthehet këtë mesjavë në skenë, me turin e radhës që do të sjellë në fushë edhe tre skuadra nga qarku i Shkodrës. Shiroka, Veleçiku dhe Tërbuni do të kenë mundësinë të matin forcat në një tjetër kompeticion, ku çdo takim është i rëndësishëm dhe një gabim mund të rezultojë fatal.
Shiroka do të zbresë në fushë ditën e mërkurë, teksa do të jetë mysafire në transfertën ndaj Lushnjës. Një përballje që pritet të jetë një test interesant për skuadrën shkodrane, e cila do të kërkojë të shfrytëzojë mundësinë për të avancuar më tej në Kupë.
Në transfertë do të luajë edhe Veleçiku, që do të përballet me Ilirinë. Ekipi nga Malësia e Madhe do të kërkojë një paraqitje pozitive dhe pse jo, një rezultat që do t’i japë mundësinë për të vijuar aventurën në këtë kompeticion.
Ndërkohë, Tërbuni do të udhëtojë për t’u përballur me Korabin, në një tjetër duel që pritet të jetë i luftuar. Pukjanët do të tentojnë të shfrytëzojnë këtë sfidë për të dhënë një tjetër sinjal pozitiv, në një sezon ku objektivat kryesorë lidhen me kampionatin.
Të tre skuadrat janë pjesë e Kategorisë së Dytë, në Grupin A, dhe natyrisht që fokusi kryesor mbetet gara e kampionatit, aty ku rezultatet kanë një peshë më të madhe për objektivat sezonale. Megjithatë, Kupa mbetet një mundësi për të provuar forcat ndaj kundërshtarëve të ndryshëm dhe për të kërkuar një ecuri sa më të gjatë.
Ndeshjet e këtij turi do të zhvillohen me një takim të vetëm dhe me eliminim direkt, çka e bën çdo përballje të hapur deri në fund. Në këto kushte, surprizat nuk mungojnë dhe Shiroka, Veleçiku e Tërbuni do të tentojnë të shfrytëzojnë shanset e tyre për të vijuar më tej në Kupën e Shqipërisë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


