Luka Modriç ka hapur zemrën në një intervistë të gjatë dhe emocionuese, ku ka rrëfyer për herë të rrallë gjithë rrugëtimin e tij, nga fëmijëria e vështirë deri te zgjedhja për t’u bashkuar me Milanin pas një karriere legjendare te Real Madrid. Mesfushori kroat, një nga futbollistët më të respektuar të dekadës së fundit, ka rikthyer kujtimet e para të futbollit, duke treguar se rruga drejt majës nuk ka qenë aspak e lehtë.

Ai ka zbuluar se në moshë të vogël u refuzua nga akademia e Hajduk Split, për shkak se nuk ishte mjaftueshëm i gjatë apo fizikisht i zhvilluar. Megjithatë, pengesat nuk e ndalën:

“Nuk e humba kurrë besimin te vetja. E dija që e doja futbollin dhe se mund të bëja më shumë.” Dinamo Zagreb u bë trampolina e karrierës së tij, dhe më pas Totenham, ku talenti i tij shpërtheu plotësisht. Transferimi te Real Madrid mbetet kulmi i karrierës së Modriç. Kroati pranon se vetë nuk e besonte se një klub i tillë do ta kërkonte: “Ishte një nga ditët më të lumtura të jetës sime. Real Madrid është ëndrra e çdo futbollisti.”

Në 13 vite në “Bernabéu”, Modriç u shndërrua në simbol të epokës së artë madrilene, duke fituar çdo trofe të mundshëm dhe duke hyrë në historinë e klubit. Megjithatë, edhe legjendat duhet të përballen me fundin e një cikli. Modriç e pranoi me sinqeritet se dëshira e tij ishte të mbyllte karrierën në Madrid, por rrethanat e futbollit modern e çuan tjetërkund. “Është e vërtetë, do të doja të mbaroja aty. Por jeta nuk është gjithmonë siç e ëndërrojmë”, tha ai.

Për Milanin, ai ka vetëm fjalë pozitive: “Është klubi që i afrohet më shumë Realit, për historinë, traditën dhe atmosferën. Kur mendoja se ku do të luaja nëse jo te Real Madrid, Milani ka qenë gjithmonë ndër të parët.”

Modriç pranon se futbolli italian ka qenë gjithmonë pasion i tij dhe se projektin kuqezi e ka ndjerë si “vendin më të duhur për hapin e radhës.” Me përulësi dhe qartësi, kroati ka treguar se sfida e re në Milano është një kapitull që e frymëzon. Dhe, njësoj si në çdo etapë të karrierës së tij, Modriç duket gati të japë gjithçka edhe në këtë fund udhëtimi, i cili mbetet po aq madhështor sa vetë emri i tij në historinë e futbollit.