Toni Kros ka thënë po, Benzema quhet se ka rinovuar automatikisht. E vetmja pikëpyetje e Realit është se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e veteranit tjetër, Luka Modriç.
Mesfushori 37-vjeçar e ka shprehur qartë se dëshiron të qëndrojë në Madrid, por është ende në pritje të vendimit që do të marrë klubi dhe faktit se çfarë ka në plan t’i ofrojë Reali.
Nëse i referohemi asaj çfarë ka raportuar “Revelo”, kroati duket fare pranë përmbushjes së dëshirës së tij për të vijuar edhe për një sezon tjetër me Realin e Madridit.
Kontrata aktuale e tij me “los blancos” mbyllet në fund të sezonit, por sipas mediumit në fjalë presidenti Florentino Perez është gati të mbyllë gjithçka me kroatin në javët në vazhdim.
“Dua të vazhdoj në Madrid, sepse e meritoj të vazhdoj, jo të ma falin. Dua të rinovoj për meritat e mia dhe jo për historinë time apo për atë që kam bërë”, pati deklaruar ditë më parë 37-vjeçari. Por Reali duhet të shpejtojë nëse dëshiron ta mbajë vërtet në skuadër mesfushorin veteran.
Sipas mediave të rëndësishme spanjolle, “Marca” e “AS”, nga Arabia Saudite kanë vendosur të bëjnë gjithçka për ta joshur Modriçin që të lërë Europën dhe të transferohet në Azi.
Më parë ishte folur për një ofertë 2-vjeçare me një pagë 25 milionë euro neto në sezon. Por sipas “AS”, klubi Al-Nasr, ku militon dhe Kristiano Ronaldo, e ka dyfishuar pagesën, duke i ofruar 50 milionë euro në sezon.
FIRMINO – Duke qëndruar në temën e merkatos, sipas mediave spanjolle, Reali i Madridit dhe Barcelona janë futur në një garë të ethshme për të përfituar nga shërbimet e Roberto Firminos, i cili do të jetë lojtar i lirë në fund të sezonit, pasi ka vendosur të largohet nga Liverpuli.