Shkruar nga Endri ÇINARI
Forma e shumë futbollistëve tek Vllaznia ka ndikuar tek kuqeblutë, të cilët nuk kanë shfaqur nivelin e duhur në fushën e lojës së fundmi. Me shkodranët që në 4 ndeshjet e fundit në kampionat kanë marrë vetëm 2 pikë nga 12 të mundshme. Duke llogaritur këtu humbjet 1-0 kundër Elbasanit dhe 0-1 ndaj Teutës, si edhe barazimet 1-1 kundër Partizanit dhe 0-0 ndaj Vorës. E pikërisht kjo rënie e kuqebluve ka ardhur si pasojë e formës jo optimale të disa prej titullarëve dhe lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Kështu duke filluar nga prapavija, ku në krahun e majtë nuk kanë qenë në formën e tyre më të mirë fizike si Jago e po ashtu Hakaj. Dhe kjo është parë edhe nga aktivizimi jo i plotë sidomos i brazilianit në ndeshjet e fundit. Teksa edhe Kuros, i cili është kthyer së fundmi nga një dëmtim i gjatë ende nuk është në ritmin e duhur dhe kjo dallohet qartë në fushën e lojës. Edhe në mesfushë shumë prej futbollistëve nuk gëzojnë formën 100% të tyre, fakt që ka ndikuar edhe në ecurinë e skuadrës shkodrane.
Emra si Kallaku apo Mala prej disa kohësh po vuajnë nga lëndimet dhe po luajnë duke sakrifikuar, për të prituar janarin ku kampionati do jetë pushim dhe rikuperojnë totalisht gjendjen e tyre fizike. Gjithashtu edhe Qato e Murataj të cilët kanë pasur probleme fizike në të shkuarën nuk po japin atë çfarë pritet nga ana e tyre në fushën e lojës. E ndërsa edhe Bismark në sulm ende s’ka shfaqur potencialin e tij të plotë, ku edhe ganezi pas dëmtimit më shumë se dy mujor ende nuk gëzon formën dhe ritmin e duhur për të dhënë kontributin e tij.
Pra, një grumbull prej 8 futbollistësh tek Vllaznia të cilët nuk po kalojnë momentin e tyre më të mirë fizik. Diçka që ka ndikuar absolutisht tek ecuria e skuadrës, që ndryshe nga seç u shfaq në fazën e parë të edicionit, në të dytën ka një rënie të ndjeshme të formës dhe ritmit në fushën e lojës.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


