Vllaznia mposhti dje 3-2 Tiranën kampione në fuqi, me një gol në limitet e ndeshjes. Skuadra e Brdaric vijon me pikë të plota pas tre javëve të para të sezonit, duke sjellë sërish shpresë në Shkodër. Kuqeblutë kanë disa vite që janë në ujëra të turbullta, duke mos harruar rrëzimin në Kategorinë e Parë.

Në Shkodër janë duke I bërë gjërat siç duhet, me sponsorin Xhaferi që ka motivuar të tijtë me premio. Tifozët e Vllaznisë kishin “pushtuar” ndërtesat rrotull “Loro Boriçit” duke qenë pranë skuadrës edhe me mesazhe të qarta “Shkodra kërkon privatizim”, shkruhej në banerat e tyre.

Në Shkodër e kanë një të fshehtë për suksesin e djeshëm dhe ai quhet Thomas Brdaric. Trajneri kroato-gjerman di si ti motivojë të tijtë, ndërsa me të hyrë dje në dhomat e zhveshjes, lojtarët vendas kanë hasur një tabelë me një mesazh.

“Merreni atë. Duhet të ndiejmë si është të mundim kampionët!”, këto ishin fjalët që sollën energjinë në këmbët e kuqebluve, që vijojnë të surprizojnë këtë sezon. Duket se pas “krisjes” me sportdashësit, rezultatet kanë bërë që tifozët t’I rikthehen sërish në krah kuqebluve.