Gabimet e arbitrave të fushës dhe VAR-it kanë vijuar edhe në javën e 32-të të Superiores. Teknologjia hyri në futboll për të eliminuar gabimet e arbitrave në fushë, kryesisht te penalltitë e dyshimta, por që vijojnë të mos shikohen nga VAR-i shqiptar. Në javën e fundit kemi penallti të mohuar për Vllazninë.

DINAMO – VLLAZNIA 0-0

Gjyqtarë: F. Lata, F. Lama (Durrës), E. Burgu (Fushë-Krujë); VAR: K. Prenga (Laç), E. Jorgji (Elbasan)

Dinamo-Vllaznia u gjykua nga Florian Lata, ndërsa në VAR ishte për herë të parë Klodian Prenga. Çuditërisht sektori i gjykimit kishte vendos si asistent në VAR ndërkombëtarin Enea Jorgji, duke treguar se po bën prova në këto javët e fundit.

39’ Gurishta rrëzohet në zonë pas duelit me Mijën dhe kërkon penallti. Rast i dyshimtë, por Lata vazhdon lojën, ndërsa edhe VAR-i nuk ndërhyn. Pamjet filmike tregojnë se mbrojtësi i Vllaznisë e ka tepruar me rrëzimin, në një kohë që ndërhyrja e Mijës ishte brenda limiteve.

42’ Da Silva harkon në zonë, ndërsa Imami e prek topin me dorë, por gjyqtari vazhdon lojën. Prekja është e dukshme dhe duhej akorduar 11-metërsh për Vllazninë. VAR-i nuk ndërhyn, por gabon.

79’ Sidibe rrëzon në zonë Jonuzin, që kërkon penallti. Lata vazhdon lojën, duke marrë një vendim të drejtë, pasi dueli ishte normal.