Gjykimi në javën e 17- të të Superiores ka qenë problematik dhe ndonëse luhet me sistem VAR, “xhaketat e zeza” nuk kanë arritur që të shikojnë penalltinë e mohuar ndaj Vllazninë në fund të ndeshjes apo faullin e shkaktuar nga Xhixha tek aksioni i golit të fitores së Tiranës ndaj Dinamos.
Gjithashtu, në derbi arbitrat e FIFA-s falën edhe disa kartonë të kuq, gjë e cila bën që ata të kenë ndikuar në rezultatin final. Vllaznia-Egnatia dhe Dinamo-Tirana ishin ndeshjet ku arbitrat gabuan më shumë.
VLLAZNIA-EGNATIA 1-1
Gjyqtarë: O.Kuka, A.Zalla (Tiranë), E.Veseli (FushëKrujë) / VAR: E.Hamiti (Lezhë), D.Myftari (Tiranë)
Orlando Kuka ishte kryesor në ndeshjen Vllaznia-Egnatia, ndërsa Eldorian Hamiti dhe Dojando Myftari ishin në dhomën VAR. Dy ishin rastet për moviolë, ku në fund Vllaznisë iu mohua një penallti.
14’ Gjyqtari ndëshkon Maganin për simulim. Arbitri ka gabuar në këtë rast, pasi duket qartë që Adili, pasi largon topin, ka edhe kontakt me sulmuesin, kështu që e verdha nuk duhej dhënë.
90+3’ Çoba në tentativë për të goditur topin në zonë me një gjysmëkthesë, bie në fushë. Shkak u bë tërheqja nga bluza që i bëri mbrojtësi Kacbufi.
Arbitri Kuka vazhdoi lojën, por e habitshme është se rasti nuk u shqyrtua as nga VAR-i, që minimumi duhet të thërriste gjyqtarin kryesor që të shikonte rastin në monitor.
Pamjet tregojnë qartë tërheqjen me dorë të bluzës së Çobës nga Kacbufi. Vendim i gabuar dhe penallti e mohuar për Vllazninë.