FSHF kishte caktuar Emanuela Rustën nga Elbasani për të gjykuar ndeshjen Vllaznia-Flamurtari. E para arbitre femër me stemën e FIFA-s në vendin tonë bëri një prezantim dinjitoz në Shkodër.

Megjithatë, dyshimet janë të mëdha për një gol të anuluar të Flamurtarit në minutën e 44-t. Pamjet filmike nuk japin një konkluzion 100% të saktë, edhe pse duket sikur Ribaj mbahet në lojë nga Bulatoviç.

“Panorama Sport” ju sjell dy rastet më të diskutueshme.

4’ Kapiteni i Flamurtarit, Andi Ribaj, pretendon për një 11-metërsh, pasi rrëzohet në hyrje të zonës.

Gurishta e kap sulmuesin nga fanella, duke i prishur ekuilibrin. Rusta vijon lojën, por pamjet filmike tregojnë se mund të akordohej goditje dënimi për vlonjatët, pasi kontakti mes Gurishtës dhe Ribajt nisi jashtë zonës.

44’ Kundërsulm i Flamurtarit, me Ribajn që fut një top në zonë te Çelhaka dhe ky i fundit shërben për Oliverën, i cili shënon nga afër portës.

Për kryesoren Rusta dhe anësorin Shazivari kemi gol të rregullt. Por, pas 4 minutash në pritje të konfirmimit nga VAR, aty ku ishin Andi Koçi dhe Fatmir Lama, gjithçka anulohet me pretendimin se Ribaj në nisjen e aksionit ka qenë në pozicion jashtë loje.