Ndeshja Vllaznia-Teuta u gjykua nga arbitri i FIFA-s, Enea Jorgji, i cili në përgjithësi u mundua që ta menaxhojë mirë sfidën. Rastet për moviolë nuk munguan në këtë takim:
16’ Tek aksioni i golit ka një faull ndaj Da Silvës në mesfushë, por gjyqtari Jorgji tregohet profesionist duke lejuar avantazhin, pasi shkodranët kishin nisur kundërsulmin me Gjurgjeviçin që kthehet në gol nga Latifi. Pa dyshim meritë ka arbitri në këtë rast, që la avantazhin duke mos vërshëllyer direkt për faull.
31’ Avdyli kryen një ndërhyrje të rrezikshme ndaj Gurishtës. Jorgji gabon, pasi e ndëshkon lojtarin e Teutës me të verdhë, por nga ndërhyrja që bënte meritonte të kuqin direkt.
41’ Kotobelli lëshon një top të gjatë për Hebajn, i cili e ul për Lorenco Vilën, që me qetësi mposht Vllazninë për herë të dytë. Pati kontestime nga vendësit për pozicionin e Rubin Hebajt, po përsëritjet televizive treguan se Bulatoviç është tërhequr me vonesë dhe kur është nisur topi sulmuesi shkodran i Teutës ka qenë në pozicion të rregullt. Vendim i drejtë i gjyqtarëve në fushë dhe në VAR.
45+2’ Aksion premtues për Teutën, por përplasja e Lorenco Vilës me Dianje konsiderohet faull. Nga pamjet del se gjyqtarët janë nxituar në këtë rast, pasi nuk duket si faull. Minimumi që Jorgji duhet të bënte në këtë rast ishte të lejonte aksionin, siç bëri në minutën e 16-të dhe nëse do të shënohej gol, rasti do të vlerësohej edhe nga VAR-i.
89’ Qaqi në lojë pa top bën një ndërhyrje të gabuar duke goditur me krah Aralicën në fytyrë. Sulmuesi kroat merr karton të verdhë në këtë rast pasi kërkon ndëshkim të mbrojtësit të Teutës. Por, Jorgji thirret nga VAR-i për të parë rastin dhe më pas vendos të ndëshkojë me të drejtë me karton të kuq Harallamb Qaqin.