Një penallti e mohuar për Vllazninë ndaj Tiranës dhe për më tepër me sistemin VAR që nuk ndërhyn, ka kompromentuar jo pak javën e 7-të në “Abissnet Superiore”. “Panorama Sport” ka sjell të gjitha rastet për moviolë te kesaj ndeshje.

VLLAZNIA-TIRANA 0-2

Gjyqtarë: J.Xhaja, D.Rexha, M.Shazivari; VAR: E.Jorgji dhe D.Myftari;

VAR-i shpëton dy herë gjyqtarët në kryendeshjen e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, por për habinë e të gjithëve nuk ndërhyri në një penallti neto për shkodranët. Në sfidën mes Vllaznisë dhe Tiranës, ku gjyqtar kryesor ishte Juxhin Xhaja, ndërsa në VAR, Enea Jorgji e Dojando Myftari, rasti më flagrant ishte në minutën e 14-të.

Latifi futet në zonë dhe afër vijës fundore pengohet nga Behiratçe në momentin që godet topin. Faull brutal dhe që duhet të shoqërohej me 11-metërsh për Vllazninë, në një kohë që rezultati në atë moment ishte 0-0. Por, as Xhaja në fushë dhe as Jorgji në dhomën e VAR-it nuk ndërhyjnë për të dhënë penallti për kuqeblutë. Gabim i pafalshëm nga e gjithë trupa gjykuese.

Ndërkohë, në minutën e 15-të kemi një aktrim nga Bekaj, i cili provokon Aralicën dhe më pas kërkon me një rrëzim në tokë, një karton të kuq për sulmuesin kroat të Vllaznisë, por në këtë moment gabon edhe gjyqtari i takimit, ndëshkon vetëm Aralicën me karton të verdhë. Xhaja duhet të kishte bërë të njëjtën gjë edhe me portierin.

Në të 25-ën, goli i rregullt për Xhixhën dhe vendimi i drejtë i VAR-it, ndërsa anësori Shazivari gabon me ngritjen e flamurit.

Në minutën e 44-t, Dianje prek me dorë një top. Nuk ka penallti, ndërsa pamjet janë të paqarta dhe nuk ndërhyn as VAR-i.

Në minutën e 70-të, gjyqtari Xhaja gabon, teksa ndëshkon me të verdhë Tolin. E rregullon gabimin me VAR dhe jep direkt karton të kuq për lojtarin e Tiranës.