Shkëlqim Muça di gjithashtu të “nuhasë” kur një ekip është një hap para të tjerëve, derisa si trajner i është dashur të përvetësojë 4 tituj (3 me Tiranën në sezonet 1994-1995, 1999- 2000, 2006-2007 dhe atë me Dinamon në 2009-2010).
“Në fillim isha pak skeptik prej optimizmit dhe vrullit të fillimit, por tani mendoj që është konsoliduar mirë. Ka rritje edhe në lojë. Vllaznia, Teuta, Partizani, Tirana, këto janë katër ekipet, por Vllaznia është një hap më përpara. E them këtë sepse nganjëherë ne që e shohim nga jashtë mendojmë që ‘e mo ky s’ka ekip, do të thyhet një ditë…’.
Por nuk është kështu, sepse duke e parë nga ndeshja në ndeshje, sheh që përveç aspektit psikologjik i cili ka qenë i mirë që në fillim me fitoret e para, edhe me etjen për të fituar. Tani Vllaznia është rritur shumë edhe sa i takon pjekurisë në lojë.
Një pjesë e mirë e lojtarëve janë rritur shumë, si p.sh. Gurishta, Krymi, Marku, Hoxha, lojtarë që kanë qenë në Shqipëri, por nuk dukeshin dhe duke parë sa janë ngritur këta, çdo njeri që merret me këtë punë e sheh qartë që niveli i tyre sa vjen e rritet dhe pjekuria taktike.
Kur i sheh në lojë, vëren se lojtarët janë përmirësuar shumë. Duket që aty punohet me themel, nuk është rastësi. Unë i jap rëndësi trajningut dhe drejtimit.
Vllaznia është pjekur shumë dhe është shumë vështirë të thyhet. Edhe në një ndeshje që u thye, skuadra reagoi menjëherë. Tirana e vjetshme, p.sh., në momentin kur mori superxhiro, mundi Kukësin dhe Partizanin, u bë e pathyeshme.
Po ata lojtarë ishin edhe me trajnerët e tjerë, por ndryshuan në aspektin taktik, grupi u bë më harmonik, u bë entuziast gjithë skuadra, stoli dhe këto janë shumë të rëndësishme në futboll. Sepse, ekipet e tjera, një humbje dhe tronditen, si Kukësi, jo ka një lojtar që ankohet pse s’luan e të gjitha këto… Kjo është arsyeja”, deklaroi 60-vjeçari për “Panorama Sport”.