Gentian Muça ka nisur një etapë të re të karrierës së tij duke u larguar pas shumë vitesh nga Tirana. Mbrojtësi firmosi te Prishtina në Kosovë dhe shumë shpejt u bë protagonist me të, duke gjetur edhe golin e parë në këtë javë në sfidën kundër Feronikelit.
Muça, në një intervistë për “Fax Sport”, ka folur për përshtypjet e tij të para për këtë eksperiencë të re, largimin nga Tirana dhe ndryshsimin mes dy kampionateve.
“Të them të drejtën ka pak kohë që jam në Prishtinë, këtu kishte filluar kampionati kur u transferova, por ndihma e shokëve dhe mikëpritja që më ka bërë ekipi, e bëri më të shkurtër kohën e përshtatjes dhe ambientimit. Prishtina është qytet shqiptar, i ngjashëm me Tiranën. Ndjehem mirë që arrita ta shpërbleja më atë gol ndaj Feronikelit.
Goli? Emocionalisht është ndjesi e mirë, aq më tepër për pozicionin që kam. Emocioni i golit është energji e brendshme që çliroheet, jam më i çliruar emocionalisht dhe ndoshta do të më ndihmojë të jap më të mirën. Ishte edhe ndjenja e veçantë prej fanellës ndryshe që mbaj veshur tani.
Në Kosovë niveli është shumë i kënaqshëm, ka ekipe që luftojnë për titullin dhe objektivat në Europë, konkurrenca është shumë e fortë. Investimet janë goxha të mëdha, shteti po investon shumë këtu, aq më tepër gjatë pandemisë dhe besoj se ashtu si është përfolur në media, futbolli kosovar mund të avancojë dhe mund të kalojë futbollin tone në pak vite.
Largimi nga Tirana? E kam thënë që zgjedhja ishte profesionale, unë e pashë që sigurisht nuk Tirana nuk ka vënë asnjëherë në dyshim rinovimin, një apo më shumë vite. Ajo që kam dashur ishte të kontribuoja në fushën e lojës. Jashtë fushe do jem gjithmonë pranë klubit, këtë dëshirë ia kam shprehur presindentit, i kam thënë që dua të kontribuoj ende në fushën e lojës. Ai më mirëkuptoi dhe zgjidhja për t’u larguar ishte dypalëshe.
Falënderoj presidentin Halili për fjalët e mira. Biseda jonë e fundit si punëdhënës e punëmarrës ka qenë që e kam derën e hapur aty. Ajo zgjedhje u bë për të mirën dhe karrierën time si futbollist.
Shpresoj të mos e ndjejnë mungesën time siç kanë bërë gjatë aventurës në Europë. Gjithsesi të vjen keq kur largohesh nga shtëpia jotë. Por lëvizja e Prishtinës ishte zgjedhje profesionale dhe shpresoj se koha ta tregojë nëse ka qenë e suksesshme apo jo.
Ndjek edhe situatën në Shqipëri se i përfshin të gjithë. Mua si futbollist më vjen keq që sportistët u torturuan, edhe presidentët se çdo ditë që kalon, çdo muaj është para e hedhur. Shpresoj që diskutimet të mbyllen sa më shpejt, që futbollistët të kthehen dhe presidentët të marirn mbrapsht atë që shpenzojnë”, tha Muça. /vipsport/