Presidentët e klubeve të Premier League janë diskutuar për mundësinë e një pauzë dyjavore të kampionatit, për të shmangur një shpërndarje të virusit mes futbollistëve. Ky shqetësim vjen pas rasteve të shfaqura te Mançester Siti, çka solli edhe shtyrjen e ndeshjes ndaj Everton.
Ndërkohë, kundër bojkotit është shprehur së fundmi legjenda e Mançester Junajtid, Geri Nevill, i cili thekson se virusi nuk do të zhduket për dy apo katër javë ndaj një ndalesë është e pakuptimtë.
“Futbolli e ka provuar në gjashtë muajt e fundit se mund të operojë i qetë. Ishte e drejtë të ishim të shqetësuar gjatë “lockdown-it” të parë kur virusi ishte i ri dhe i panjohur. Dhe në opinionin tim, nuk duhet të ndalojë tani. Virusi nuk është se do të largohet pas dy apo katër javëve”, u shpreh Nevill.
Ndërkohë, kundër një ndërprerje është edhe trajneri Ole Gunar Solskjaer i cili thekson vështirësitë për kalendarin që me një ndërprerje të mundshme do të bëhej edhe më i ngjeshur. /VipSport/