Vllaznia po kalon një nga momentet e saj më të vështira. Shkodranët e shohin veten të eliminuar nga Kupa e Shqipërisë dhe në vend të parafundit në renditjen e kampionatit. Ndërrimi i trajnerit nuk ka sjellë asgjë të re te Vllaznia, që mbetet mjaft e rrezikuar për rënien nga kategoria. Përpara është ndeshja me Kamzën, që luhet të shtunën në stadiumin “Loro Boriçi”.
Gjendja e skuadrës kuqeblu është jo pak shqetësuese, pasi morali ka rënë pas eliminimit nga Kupa, por trajneri Ernest Gjoka do të ketë mungesa të rëndësishme dhe nuk janë pak. Pjeshka dhe Atsina nuk do të jenë të disponueshëm sërish, për shkak të problemeve me dëmtimet. Por në dyshim serioz për të njëjtën arsye janë edhe Hasani, Marku e Bardulla. Nëse asnjëri nga këta të tre nuk ia del, ndaj Kamzës do të jetë shumë e vështirë, por Vllaznisë i duhet patjetër fitorja.