Sikur të mos mjaftojë fakti që kanë 4 javë pa fituar dhe renditen në vendin e 8-të, Vllaznisë do t’i duhet të bëjë llogaritë edhe me mungesa në mbrojtje. Zyrtarisht Renato Malota nuk do të luajë kundër Luftëtarit, por rrezikon që të mos jetë i vetmi. Filip Gligorov dhe Erdenis Gurishta janë të dëmtuar, ndërsa në shqetësim po kthehen edhe virozat e stinës. Disa lojtarë kanë kaluar gjendje gripale, ndaj stafi teknik po “lutet” që të mos sjellë të tjera pasoja.
Vllaznia Jonuz
MUNGESAT – Nëse qendërmbrojtësi lezhjan është i skualifikuar prej të verdhëve, ndryshe paraqitet situata për Filip Gligorovin dhe Erdenis Gurishtën. Maqedonasit i janë rikthyer shqetësimet në kaviljen e këmbës së majtë, ndërsa shkodrani nuk është në gjendjen e tij optimale prej një dëmtimi që ka pësuar. Këto dy ditë do të jenë përcaktuese për ta, pasi po “luftojnë” me kohën që të jenë gati për javën e 23-të të Kategorisë Superiore.
RIKTHIMET – Megjithatë, për takimin ndaj Luftëtarit ka edhe rikthime tepër të rëndësishme. Ndriçim Shtubina pasi ezauroi pezullimin prej të verdhëve, është totalisht gati për këtë ndeshje. Po ashtu nën urdhrat e Mirsad Jonuzit do të jetë edhe Dajan Shehi, i cili ka kaluar gjendjen gripale.
Ai do të jetë partneri i Adilit, duke zëvendësuar kështu Malotën. Shpresohet vetëm që listës së mungesave të mos u shtohen të tjerë, pasi zgjedhjet për stafin teknik do të bëheshin shumë herë më të vështira dhe sidomos tani që fitorja është detyrim.