Dita e dielë ka qenë e fundit për Vllazninë për përgatitjet e javës anti-Egnatia. Pikërisht, ditën e sotme kuqeblutë do të luajnë në Shkodër në stadiumin “Loro Boriçi” ndeshjen e rradhës për javën e 13-të të Abissnet Superiore ndaj rrogozhinasve.
Në fakt, ajo që e ka shqetësuar stafin teknik për këtë ndeshje, por edhe për finalen e Superkupës, ka qenë dëmtimi i dy qendërmbrojtësve, Marko Juriç dhe Darko Bulatoviç, të cilët akoma nuk janë të mundur të rikthehen për të qenë gati në shërbim të skuadrës.
Megjithatë, nga ana tjetër, siç dihet tashmë, mesfushori kosovar Liridon Latifi do të jetë i gatshëm për trajnerin Mirel Josa, edhe pse ky i fundit nuk e ka preferuar në fushën e lojës nga minuta e parë, për shkak të shkëputjes shumë të gjatë për arsye dëmtimi.
Kujtojmë këtu se, ndeshja e sotme Vllaznia-Egnatia do të luhet në “Loro Boriçi”, duke filluar nga ora 16:30 dhe do të transmetohet live në kanalet e platformës “OverSport”.
Maringlen ZHIVANI