Zhoze Murinjo ka marrë ofertën e parë për të drejtuar një klub të njohur në Europë, duke e refuzuar atë. Teknikut të shkarkuar pak javë më parë nga drejtimi i Mançester Junajtid, i është ofruar pankina e një klubi me emër edhe në arenën ndërkombëtare, si Benfika, por për momentin ai ka kthyer përgjigje negative, edhe pse ka lënë gjërat e hapura për të ardhmen.
Benfika ka shkarkuar pak ditë më parë trajnerin Rui Vitoria dhe emri i parë që u ka shkuar ndër mend drejtuesve të klubit ishte ai i Murinjos, i papunë prej disa javësh. Trajneri u ka kthyer menjëherë përgjigje negative drejtuesve të këtij klubi ku ka drejtuar 11 ndeshje në sezonin 2000-2001. Ai ka bërë të qartë se kthimi në vendlindje nuk është për momentin plani i tij.
Por sipas të përditshmes portugeze “A’Bola”, gjithçka mund të diskutohet përsëri në verë, para fillimit të sezonit të ardhshëm. Horhe Mendez, menaxheri i Murinjos, ka një raport të mirë me Luis Filipe Vieira, presidentin e Benfikës, dhe nëse ky i fundit siguron një projekt ambicioz, trajneri do të ishte gati të kthehej në vendlindje.
Te Benfika, Murinjo do të kishte detyrën që cilësohet më e vështira në historinë e futbollit, atë të thyerjes së “mallkimit të Bela Gutman”. Ish-trajneri që drejtoi Benfikën në sukseset në Kupën e Kampioneve në vitet ’60, kur u largua nga klubi pasi nuk i rritën rrogën lëshoi frazën ë famshme “edhe për 100 vite Benfika nuk do të shpallet më kampion Europe”. Mallkimi deri tani ka rezistuar, pasi Benfika ka humbur të 8 finalet ndërkombëtare që ka zhvilluar që nga periudha e Gutman. /vipsport/