Dita e sotme në orën 19:00 do shohë përballë dy ekipet më të vjetra në vend, Vllazninë dhe Tiranën. Shkodranët do ndeshen për Superkupën e Shqipërisë, në stadiumin “Air Albania” ndaj bardhebluve, që vijnë edhe si kryesuesit e Superiores. Por një duel i tillë pritet shumë i ekuilibruar mes dy ekipeve.
Si skuadra e Joses dhe ajo e Shehit kanë gëzuar thuajse të njëjtën formë në këtë edicion. Ajo që shihet si reparti ku mund të vendoset shumë çka në këtë duel është mesfusha. Në të dy krahët ka lojtarë me plot eksperiencë, klas por edhe të ardhme në futbollin tonë.
Kështu tek bardheblutë spikasin emra si: Deliu, Aleksi apo edhe Kallaku në repartin e mesfushës. Duke mos harruar këtu edhe Vesel Limajn që ka ardhur në një formë të mirë së fundmi.
Në krahun e kuqebluve është Jonuzi që prej disa sezonesh është ndër më të spikaturit në Superiore. E po ashtu Boshnjaku, i ardhur në verë nga Prishtina, por që ka bindur me paraqitjet e tij.
Po ashtu një emër i dalë në skenë këtë sezon është Alivoda, djaloshi i ri që po spikat në Superligë. Pra një duel muskujsh dhe fantazie në mesfushë, ku ndoshta gjithçka mund të nisë nga këmbët e tyre për të përcaktuar fituesin e Superkupës sonte në “Air Albania”. Duel që mbahet çdo sezon mes fituesit të kampionatit dhe atij të kupës.
Endri ÇINARI