Gjashtë muaj pas mbërritjes së tij, Antonio Conte e ka transformuar plotësisht Napolin. Me 16 pikë më shumë, skuadra ka kaluar nga vendi i dhjetë në të parin deri në fund të fazës së parë të kampionatit (në pritje të ndeshjeve të mbetura).

Conte ka rikthyer në nivelin maksimal lojtarë që pas fitimit të titullit kampion dukeshin të humbur dhe të destinuar për një revolucion të madh veror. Ky revolucion ndodhi, por jo në mënyrë totale, dhe u drejtua me kujdes nga Conte, i cili filloi duke ruajtur besimin te disa lojtarë që nuk kishin pasur një sezon të shkëlqyer.

Nga një ndryshim mental pas disfatës së parë në Verona, deri te përmirësimi në fazën mbrojtëse dhe së fundi edhe në aspektin ofensiv, puna e Contes ka sjellë rezultate të jashtëzakonshme, të konfirmuara nga shifrat brenda një faze, ku Napoli grumbulloi 44 pikë.


Mbrojtja më e mirë në Europë

Ndeshja në Firence e konfirmoi sërish këtë realitet, edhe pa Buongiorno, blerjen më të spikatur të merkatos së verës. Napoli, si një njësi kolektive, neutralizoi një nga sulmet më të forta të kampionatit. Me vetëm 12 gola të pësuar deri tani, Napoli ka mbrojtjen më të mirë në Itali, duke e ndarë këtë rekord vetëm me Atletico Madridin në Evropë, si dhe ka regjistruar 11 ndeshje pa pësuar gol.

Ajo që e bën këtë rekord edhe më të jashtëzakonshëm është fakti që shumica e golave të pësuar ndodhën në pak ndeshje: 3 gola në sfidën e parë të gushtit kundër Veronës dhe 3 të tjerë kundër Atalantës. Në ndeshjet jashtë fushe, pas asaj të parë, vetëm Calhanoglu nga distanca, Udinese nga penalltia dhe Genoa kanë arritur të shënojnë ndaj portierit Meret.


Jo vetëm mbrojtja

Rikthimi i Napolit dhe pozita aktuale në renditje është ndërtuar mbi bazën e një mbrojtjeje solide, por Antonio Conte e ka shtyrë skuadrën drejt një përmirësimi të mëtejshëm edhe në aspektin ofensiv. Kjo rritje u bë e dukshme sidomos pas humbjes së rëndë në shtëpi kundër Atalantës.

Pavarësisht disa fitoreve minimale 1-0, shpesh Napoli krijoi shumë raste, por nuk arriti të shënojë për shkak të pasaktësisë ose ndërhyrjeve të shkëlqyera të portierëve kundërshtarë (si Milinkovic-Savic, Svilar apo Stankovic).

Megjithatë, 9 gola të shënuar në 4 ndeshjet e fundit tregojnë një progres të madh në fazën sulmuese, edhe pse Kvaratskhelia ka pasur probleme fizike kohët e fundit. Ky përmirësim përfaqëson një hap të rëndësishëm për Napolin, që synon të mbetet në krye deri në fund të sezonit.