Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, ndjeu keqardhje për rastet e humbura, në sfidën ndaj Bylisit, që përfundoi në barazim 0-0. Në prononcimin për “Gol pas Goli”, tekniku durrsak u shpreh:

“Duhet të shënonim për të dalë me 3 pikë. Rastet patëm, nuk është se zhvilluam lojë brilante, por hyn te lojërat e mira. Mund të zgjidhnim më mirë, por nuk jam person që analizoj gabimet individuale.

Kur shënon përballë skuadrave si Bylisi, çdo gjë bëhet më e thjeshtë. Seferit i thashë që raste do të ketë prap, po të erdhi prapë ai shans, shërbe për Torasën.

Kukësi të le hapësira, pavarësisht se u dënuam nga goditja e dënimit. Ndryshon Kukësi dhe skuadrat poshtë tabelës. Skënderbeu dhe Bylisi janë skuadra që mbrohen dhe hapësirat janë të pakëta. Po shënove, bëhet gjithçka më e lehtë. Në ato raste që na u dhanë sidomos në pjesën e parë, duhet të shënonim, për të zgjidhur ndeshjen.

Duhet të shërbejmë, rastet t’i finalizojmë, kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur. Një rast të mbyll ndeshjen. Kjo gjë nuk na ndodhi sot. Menduam që do të kishim raste të tjera, por sa kalonin minutat bëhej më e vështirë.

Sulmuesët duan t’i zgjidhin situatat vetë, po të kishte ndodhur në fundin e lojës, jam i sigurt që do të kishte shërbyer Seferi. Menduam që do të kishim raste të tjera”, u shpreh Shehi.