Në Shqipëri kronika e zezë është kthyer në buke te përditshme për mediat dhe popullin, aq sa nuk i bën askujt përshtypje ngjarja, arsyet, pasojat, serioziteti u ligjit apo i raportimit të lajmit.
Ndërkaq, rrallë ndodh të shohësh personazhe të sportit të bëhen pjesë e kronikës së zezë dhe nuk mund të mos bënte bujë ndalimi i Armir Grimës nga policia e shtetit, që ka goditur një rrjet kriminal,
sipas deklaratës së saj, por ndërkohë nuk kuptohet ende arsyeja reale e ndalimit të ish-portierit të famshëm, i cili prej vitesh drejton kombëtaren e femrave dhe për aq futboll sa kemi, duhet thënë se ka pasur sukses, pasi ka kaluar turin kualifikues duke mundur Greqinë në eliminatoret e Kupës së Botës.
Në deklaratën e policisë thuhet shkarazi se Grima është përfshirë në aktivitetin e rrjetit kriminal për organizim lotarish të paligjshme.
Të dëgjosh një akuzë të tillë në Shqipërinë tonë ku gjysma e kompanive të basteve shkelin ligjin dhe fshehin të ardhurat, tingëllon qesharake, aq më shumë që paligjshmërinë e prekim kudo, edhe në punën tonë të përditshme, duke pranuar të punojmë në të zezë apo me sigurime minimale, sa për sy e faqe./sport-ekspres/