Presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, ka folur me studentët në Universitetin e Paris-Sorbonne, duke ofruar një pasqyrë të rrallë mbi transformimin e klubit dhe mentalitetin fitues.

Al-Khelaifi shpjegoi në detaje se si evoluoi PSG-ja – nga një ekip i fokusuar në imazh dhe fuqi yjesh në një kampion evropian të bashkuar dhe të strukturuar.

“Rreth një vit e gjysmë më parë, klubi – pa stadiumin – vlerësohej rreth 5 miliardë euro, ndoshta më shumë sot”, zbuloi fillimisht Al-Khelaifi për L’Equipe.

“Ne sollëm investitorë të rinj dhe ndërtuam një ekip të lartë menaxhimi”.

Ai theksoi se tani kanë një filozofi të drejtuar nga kolektivi.

“Metoda dhe filozofia vijnë nga kolektivi – dëshira për të luftuar për njëri-tjetrin. Ky është mentaliteti që kemi ndërtuar: të punojmë për të tjerët, me trajnerin më të mirë në botë dhe tifozët më të mirë.”

Së fundmi, Al-Khelaifi reflektoi mbi qasjen e re të PSG-së.

“Disa vite më parë, motoja jonë ishte ‘Ëndërro më shumë’. Ne e ndaluam këtë – sepse nuk donim vetëm të ëndërronim. Isha i sigurt se do ta fitonim atë trofe shumë të veçantë”, përfundoi presidenti i parisienëve. /Telegrafi/