Saturday, February 14, 2026
FAQJA E PARE KRYESORENdarja e fondeve, reagon trajneri Shkoza: Masakrimi vazhdon në disiplinën e xhudos!

Ndarja e fondeve, reagon trajneri Shkoza: Masakrimi vazhdon në disiplinën e xhudos!

Ditën e djeshme, ashtu siç kemi bërë të ditur Bashkia Shkodër ka hapur thirrjen për shoqatat sportive për të përfituar fondin prej 440 milionë lekësh, të ndarë sipas disiplinave. Njëkohësisht është mësuar edhe shuma që do të përfitonte çdo disiplinë sportive dhe menjëherë pas kësaj ka ardhur edhe reagimi nga sporti i xhudos.

Ka qenë trajneri i ekipit të Vllaznisë Luigj Shkoza, ai i cili përmes një reagimi në faqen e tij shkruan se për sportin e xhudos, me këtë trajtim që po i bëhet pritet t’i largohen sportistët titullarë.

“Pesë kampionë kombëtarë për të rritur, dy medalje ballkanike për të rritur dhe një medalje kontinentale. Të gjitha këto janë aktivitete zyrtare, pa përmendur aktivitetet e tjera jozyrtare. Megjithatë, sipas Drejtorisë dhe përgjegjësve në Zyrën e Sportit në Shkodër, këto nuk mjaftojnë për shpërndarjen e fondeve për disiplinat sportive në bazë të rezultateve dhe meritokracisë.

Në një kohë kur “Vendimi nr. 789, datë 15.12.2021, për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve që përfitojnë statusin e nivelit të lartë dhe trajnerëve të tyre” përcakton qartë standardet dhe kriteret përkatëse, duket se ai nuk zbatohet për disiplinën e xhudos.

Nuk është çudi që në radhët e të rriturve tanë të vazhdojnë largimet drejt ekipeve të kryeqytetit, ndërsa ne detyrohemi të pranojmë një rol të ri: të shërbejmë si ekip “katapultë” për ekipet e Tiranës. Të paktën, në këtë mënyrë, karriera e sportistëve elitarë bëhet më e sigurtë”- shkruan trajneri Luigj Shkoza.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments