Tragjedia e rëndë që ndodhi në fundjavë në Shkodër ku humbi jetën 21-vjeçari Boris Stançov, i cili po garonte me dokumente false, ka vënë në lëvizje shtetin bullgar.
Në pritje të autopsisë së plotë për të mësuar shkaqet e vdekjes, ministria përgjegjëse për sportin ka urdhëruar marrjen e disa masave paraprake, përveç hetimit të kësaj ngjarje të rëndë.
E para ishte revokimi i menjëhershëm i licencës së menaxherit të boksierit të ndarë në mënyrë tragjike nga jeta. Më pas, është urdhëruar kontrolli i plotë i dokumentacionit dhe licencave të të gjithë boksierëve në vend, pasi rezulton se Stançov nuk ishte i vetmi që vepronte në këtë mënyrë për të evituar që në emrin e tij të kishte humbje.
Hetimet në Bullgari kanë nxjerrë në skenë edhe një fakt tjetër tronditës, atë se Stançov kishte marrë pjesë në aktivitete me kartelën mjekësore të falsifikuar. Dokumentet që ai ka paraqitur për regjistrimin e tij, duke filluar nga rezonanca magnetike e kokës, ishin të falsifikuara.
Kështu, në spitalin nga i cili teorikisht kishte dalë dokumenti, nuk rezultonte të ishte kryer një vizitë e tillë dhe as që të ekzistonte një mjeke me emrin Elka Ivanova që të kishte lëshuar këtë dokument. Ndërkohë, dokumentet e tjerë të detyrueshme ishin plotësuar nga një mjek familje e jo një specialist.
Tashmë të gjithë presin të mësojnë shkakun e vdekjes së boksierit nga autopsia, për të nisur edhe procedimin penal pasi persona të ndryshëm mund të akuzohen për shpërdorim detyre e falsifikim me pasojë vdekjen e 21-vjeçarit. /vipsport/