Nga Endri ÇINARI

Mesjava i shikon sërish në aksion ekipet e Superiores, ku gjatë së martës dhe mërkurës skuadrat e elitës do zbresin në fushë për javën e 9-të të kampionatit. Raund që mbyll edhe fazen e parë të kampionatit dhe tek Vllaznia kërkojnë t’i bëjnë një mbyllje sa më pozitive kësaj faze.

Shkodranët e drejtuar nga Edi Martini do udhëtojnë drejt Vlorës, për t’u përballur me vendasit e Flamurtarit. Një takim që paraqet një dozë vështirësie për shkodranët pavarësisht gjendjes aktuale që po kalojnë kuqezinjtë.

Për këtë arsye në kampin shkodran nuk ka asnjë lloj nënvlerësimi në prag të këtij dueli dhe trajneri Martini do hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm. Kështu 9 herë kampionët e vendit paraqiten sërish me mungesa në Vlorë, ku në skuadër nuk do jetë Kuros pas ndëshkimit me karton të kuq në ndeshjen me Tiranën.

Teksa nga një dëmtim vuan prej disa kohësh edhe Qato, që vështirë të jetë i grumbulluar për sfidën. E ndërsa ka shpresa që me ekipin të bashkohen emra si Dros apo Bismark, që kanë munguar javët e fundit.

Por, ndryshime në formacionin titullar nuk duket se do ketë për kuqeblutë në krahasim me ndeshjen e fundit ndaj Tiranës. Kështu në portë do nisë Pohls, që ndaj bardhebluve u ndëshkua me gol pas 3 ndeshjesh rradhazi ku mbajti portën e paprekur. Në mbrojtje emra si Gurishta, Pusi dhe Gjini pritet të formojnë repartin e prapavijës. Edhe në mesfushë nuk priten ndryshime me treshen Krymi, Sala dhe Kallaku e teksa nga krahët në të djathtë do jetë Kastrati e majtas do luajë Jago. Me dyshen e fundit që shënuan në fitoren 3-1 ndaj Tiranës në javën e 8-të.

Në sulm si zakonisht për kuqeblutë udhëheq Balaj, me golashënuesin më të mirë të kampionatit në kuotën e 5 golave që do ketë mbështetjen e Males. Ku edhe prizrenasi së fundmi paraqiti një formë pozitive, ku asistoi për Balajn në sukesin e fundit në kampionat.(www.shkodrasport.com)