Saturday, January 10, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORENdeshja e fundit e vitit, ja si pritet të luajë Vllaznia sot...

Ndeshja e fundit e vitit, ja si pritet të luajë Vllaznia sot kundër Flamurtarit

Shkruar nga Endri ÇINARI

Në ndeshjen e fundit të vitit 2025 që mbyll gjithçka për Vllazninë dhe ekipet e tjera të Superiores, shkodranët do presin në shtëpi skuadrën e Flamurtarit. Një duel që shfaqet më i rëndësishëm dhe delikat se kurrë për kuqeblutë, që nuk fitojnë prej 6 ndeshjesh rradhazi në kampionat.

Dhe në duelin ndaj vlonjatëve duhet gjetur reagimi i duhur dhe marrja e një 3 pikëshi, për t’i bërë një mbyllje disi pozitive gjysmës së parë të këtij edicioni. E pikërisht në prag të këtij dueli, Vllaznia ka thuajse çdo futbollist të gatshëm për të dhënë kontributin e tij. Kështu trajneri Martini, përveç Cristian Dros dhe Esin Hakajt që janë të dëmtuar, ka gjithë pjesën tjetër të futbollistëve nën dispozicion.

Në këtë mënyrë opsionet për trajnerin shkodran janë të shumta për të zgjedhur e në duelin ndaj vlonjatëve, duket se ka pak dyshime për titullarët që do zbresin në fushën e lojës. Kështu nga porta do e nisë si zakonisht Pohls, që tashmë është titullari i katërkëndorit kuqeblu. Në mbrojtje nga pezullimi do rikthehet Bajrami, i cili do ketë krah tij edhe Gurishten e Gjinin.

Në mesfushë nga e djathta do veprojë Kastrati, i cili mund të jetë edhe disi më i avancuar në sulm, teksa majtas pritet të pozicionohet Jago. Në mesfushë “i paprekshëm” është Krymi, që po ashtu do ketë edhe mbështetjen e Qatos dhe Kallakut. Teksa më i përpara këtij reparti do luajë Mala, që do jetë mbështetja kryesore për sulmuesin, Bekim Balaj. Ky pritet të jetë edhe formacioni i kuqebluve, që me këta futbollistë apo edhe të tjerë që mund të vijnë nga stoli, do mundohen të marrin pikët e plota në “Loro Boriçi”, ditën e mërkurë.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments