Sunday, January 11, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORENdeshja e kupës kundër Pogradecit, një mundësi për të “gjithë” tek Vllaznia

Ndeshja e kupës kundër Pogradecit, një mundësi për të “gjithë” tek Vllaznia

Shkruar nga Endri ÇINARI

Ndeshja e parë e vitit 2026 për Vllazninë do jetë ajo e turit të 1/8 kundër Pogradecit, me shkodranët që do i presin liqenorët në Shkodër ditën e shtunë në orën 16:00. Pavarësisht se qëllimet kryesore dhe ambiciet më të mëdha për kuqeblutë janë në kampionat edhe kompeticioni i kupës nuk përjashtohet aspak nga ana e 9 herë kampionëve të vendit. Ku edhe pse është trofeu i dytë nga rëndësia në vend, nuk nënvlerësohet aspak dhe dedikimi do jetë shumë serioz.

Kjo për t’i bërë një nisje sa më të mirë vitit 2026 e po ashtu për t’a zgjidhur sa më shpejt një ndeshje që gjatë minutave mund të komplikohet në “Loro Boriçi”. Por, pavarësisht vlerësimit të kundërshtarit, që po zhvillon një kampionat shumë pozitiv në Kategorinë e Parë, ku synon ngjitjen në Superiore në fund të sezonit dhe vlerësimit të kompeticionit, tek Vllaznia në ndeshjen e së shtunës duket se do ketë hapësirë për disa elementë për të treguar vlerat e tyre në këtë fillim viti.

Kështu formacioni që do zbresë në fushë ndaj pogradecarëve nuk pritet të jetë më i miri i mundshëm për shkodranët, të cilët një “mendje” e kanë edhe tek ndeshja e javës së 19-të në kampionat kundër Egnatias. Një duel që konsiderohet jashtëzakonisht i rëndësishëm për fatet e kuqebluve në ecurinë e ligës dhe në këtë mënyrë përballë Pogradecit pritet që në fushë të ketë edhe futbollistë që nuk kanë pasur aq shumë minuta këtë sezon. Apo edhe futbollistë të rinj që kanë ardhur nga akademia rishtazi dhe nuk kanë pasur mundësi të tregojnë vlerat e tyre.

Kjo për t’i dhënë një “shtysë” ndoshta edhe atyre që nuk kanë qenë protagonistë për të bindur Martinin për gjysmën e dytë të sezonit, por edhe për të mos rrezikuar me gjithë titullarët, në një moment ku pas “dere” qëndron ndeshja me Egnatian në kampionat.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments