Ditën e sotme, Vllaznia do luajë ndeshjen e parë zyrtare për sezonin 2023-24. Shkodranët udhëtojnë drejt Irlandës së Veriut për tu ndeshur me Linfield, në kuadër të turit të parë kualifikues të Conference League. Një takim që në letër shihet totalisht i barabartë.
Ku si kuqeblutë e po ashtu edhe rekordmenët e futbollit irlandezo verior kanë shanset e tyre të kualifikimit. E në kampin e Linfield patjetër që në ndeshjen e parë do duan të shfrytëzojnë faktorin fushë.
Kjo për ta pasur disi më të lehtë në ndeshjen e kthimit në Shkodër pas 1 jave. Dhe kualitetet tek irlandezo veriorët nuk mungojnë.
Një prej tyre është futbollisti i linjës së majtë të mesfushës dhe sulmit, Joel Cooper. 27-vjeçari e mbylli sezonin e kaluar në Irlandën e Veriut në kuotën e 12 golave. Një shifër goxha e mirë për një lojtar që siç konsiderohet në gjuhën e futbollit është një “winger”. Por nga skuadra duket se është larguar sulmuesi kryesor i sezonit të shkuar, Eetu Vertainen.
Sulmuesi nga Finlanda është pa një klub që nga 1 korriku i këtij sezoni, ku ka përfunduar huazimin nga St.Johnstone. Në edicionin e kaluar ai shënoi 17 gola në kampionat, duke qenë më i miri tek Linfield.
Skuadra që do jetë kundërshtare e Vllaznisë sot në orën 20:45, ka qenë ekipi me sulmin e dytë më të mirë në Irlandën e Veriut me 75 gola të shënuar. Dhe patjetër sot do jetë detyrë e mbrojtjes, por edhe gjithë skuadrës shkodrane që të përpiqen ta mbajnë portën të paprekur.
Endri ÇINARI