Ditën e djeshme, në fushën sportive “Reshit Rusi” është zhvilluar një aktivitet në shenjë solidariteti për djaloshin 20-vjeçar Klevis Gjeluci, i cili ndodhet në gjendje kome pas një aksidenti automobilistik.

Ky aktivitet u zhvillua nga Shoqata Rajonale e Futbollit në Shkodër me drejtues Lazër Matijën dhe Shkodra Sport Event me drejtues Jetmir Podgoricën, në nderim të tifozit shkodran, Klevis Gjeluci.

Në këtë takim, luajtën veteranët e Shkodrës me miqtë veteranë nga Prizreni, takim që u fitua nga shkodranët me rezultatin 4-0, ku natyrisht qëllimi i kësaj ndeshjeje nuk ishte rezultati. Një nga golat u shënua nga Valmir Kurti, i cili u shpall edhe lojtari i ndeshjes, ndërsa tre të tjerët u realizuan nga Erion Mandi, Eli Dervishi dhe Klazër Shkëmbi.

Në përbërjen e shkodranëve ishin emra të njohur të futbollit të qytetit tonë ndër vite si Fabiol Rexhepi, Denis Çokaj, Klazër Shkëmbi, Fatmir Marku, Valmir Kurti, Eli Dervishi, Erion Mandi, Bledar Marshija, Ardit Mani, Kastriot Preka, Hysen Zmijani dhe Jetmir Podgorica, të cilët u drejtuan nga trajneri i njohur, Fatmir Paçrami.

Në fund të këtij takimi, në ceremoninë përmbyllëse të këtij aktiviteti bamirësie, u shpërndanë mirënjohje për pjesëmarrësisht dhe si dhuratë simbolike një top futbolli për Klevisin. Ky top u firmos nga të gjithë pjesëmarrësit dhe do të zërë një vend të rëndësishëm në dhomën e Klevisit pas shërimit të tij, si një kujtim nga komuniteti i sportit.

Të ardhurat e mbledhura në këtë aktivitet do të shkojnë në familjen e djaloshit shkodran Klevis Gjeluci, për t’iu gjetur pranë në këtë moment të vështirë që ai po kalon pas një aksidenti automobilistik.
Maringlen ZHIVANI