Rikthehet Superiorja, rikthehet futbolli në Shqipëri. Pas një muaji pushim, tanimë ka ndeshje zyrtare dhe gjithçka nis nga Shkodra, aty ku Vllaznia vendase do të presë Flamurtarin e 1001 problemeve. Shumë kuriozitet për afrimet e Vllaznisë dhe për rreshtimin e vlonjatëve, të cilëve u është bllokuar merkatoja.
Në Shkodër sigurisht janë përgatitur për të fituar dhe për të lëshuar një mesash për ekipet që luftojnë për Europën. Takimi nis prej orës 14:00, ndërkohë që tri orë më pas zhvillohen dy takime mjaft interesante.
Korça është qyteti që do të shohë t’i rikthehet futbolli, pasi Skënderbeu përballet me Partizanin kampion në fuqi. Daja ka vetëm një “armë” plus, Eni Imamin. Nga krahu tjetër është afruar vetëm Dorian Kërçiku, por kurioziteti më i madh është mënyra e lojës me trajnerin Adolfo Sormani.
Takimi i parë zyrtar për italianin e rikthyer në krye të skuadrës kryeqytetase. Synohen tre pikët, në mënyrë që të mos thellohet diferenca me Kukësin kryesues. Të njëjtën gjë duan edhe dy ekipet e tjera, Teuta dhe Laçi që përballen në “Niko Dovana” prej orës 17:00.
Colubali është emri që tërheq nga durrsakët. Sulmuesi gjigant pritet titullar, kurse pjesa tjetër e ekipit është po ajo. Nga ana tjetër Laçi ka afruar elementë që e njohin kampionatin, si Greca dhe Rapo. Ky i fundit pritet ta nisë nga fillimi dhe mbetet të mësohet vetëm pozicioni që do të mbajë në fushë. Pikëpyetje për atë që do zëvendësojë Xhixhën e pezulluar me kartonë. /abcnews/