Java e 30 e Kategorisë Superiore do të jetë padyshim një nga më interesantet e këtij edicioni për shkak të përballjeve të planifikuara. Duke marrë për bazë edhe tabelën e renditjes dhe situatën që po kalojnë aktualisht klubet e ndryshme në renditje, të 5 ndeshjet janë finale të mirëfillta. Kështu, sfidat e planifikuara të luhen të gjitha në të njëjtën ditë në këtë mesjavë, parashikohet të dhurojnë emocione të shumta dhe mund të vendosin fatin e shumë skuadrave.
Lufta për mbijetesë mund të përcaktohet në duelet e orës 13:00, Skënderbeu-Bylis dhe Apolonia-Kastrioti. Kushdo që del i humbur nga këto ndeshje rrezikon të dalë jashtë objektivit për mbijetesën dhe sidomos sfida në Fier mund të përcaktojë fatin e dy skuadrave.
Por padyshim sfida më e ndjekur e orës 13:00 do të jetë ajo mes Laçit dhe Partizanit, që do të tregojë nëse kurbinasit do të mund të ndalin serinë e fitoreve të kryeqytetasve dhe kthehen në garën për titullin, apo mund t;i japin lamtumirën që tani ëndrrave që kishin për trofeun.
Kukësi do të luajë në orën 16:00 shansin e fundit për Europën ndaj Teutës, pasi në rast humbje, vështirë se mund të ëndërrojë më të arrijë grupin e skuadrave që ka para. Ndërsa një duel po aq interesant për titullin është ai mes Tiranës dhe Vllaznisë, me bardheblutë që nuk kanë alternativë tjetër veç fitores që të shtojnë shanset e tyre për të luftuar për titullin kampion në javët e mbetura.
Ora 13:00
Skënderbeu-Bylis
Apolonia-Kastrioti
Laçi-Partizani
Ora 16:00
Kukësi-Teuta
Tirana-Vllaznia