Kevin Koubemba ishte heroi i Teutës në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Sulmuesi 28- vjeçar me origjinë nga Kongo, por i lindur në Francë, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, tregon emocionet e golit spektakolar me kokë ndaj Vllaznisë. Ai flet edhe se si u transferua në kampionatin shqiptar pas tri viteve në Azerbajxhan.

Koubemba u afrua te Teuta në fundin e merkatos dhe shihet si një lojtar që mund të bëjë diferencën në sulmin e kampionëve në fuqi. Shtatlarti zbulon se në futboll e frymëzon ish-bomberi i Francës dhe Arsenalit, Tieri Henri. Ai është rritur me golat e tij, prandaj dhe ka kërkuar gjatë karrierës t’i ngjajë sadopak. Sulmuesi i Teutës e ka nisur karrierën te Amiensi në Francë, ndërsa është aktivizuar edhe me Lilën dhe Brestin në Ligën 1.

Kevin, si është të shënosh një gol me kokë si ai në Shkodër, në një kohë që ekipi është me 10 lojtarë?
Natyrisht që i ka të gjitha të veçantat, por së pari, shoku im i skuadrës, Selmani, më dha një top të mrekullueshëm për atë gol. Për ne ishte një ndeshje e vështirë, por ekipi nuk u dorëzua për asnjë moment.

Çfarë menduat kur kërcyet me kokë dhe më pas e patë topin në rrjetë?

Në fakt, e godita topin me pjesën e prapme të kokës, kështu që kur u ktheva dhe pashë se ishte gol, isha vërtet i lumtur për ekipin dhe gjithashtu për veten time.

Kush ju bindi për të ardhur te Teuta?

E dija që Teuta kishte nënshkruar me mikun tim, Filip Ivanoviç dhe klubi po kërkonte një profil lojtari si unë. Në këto kushte, pas kësaj ishte shumë e lehtë për mua të vija këtu te Teuta.

Si ju duket kampionati shqiptar dhe çfarë keni ditur më parë?

Mendoj se është një kampionat i hapur, me ekipe të mira dhe lojtarë cilësorë. Kam dëgjuar përmes njerëzve të futbollit që unë njoh përpara se të vija këtu.

Ju vini pas tri viteve në Azerbajxhan, a mund të na bëni një krahasim mes dy kampionateve?

Po, këtu është futboll më i hapur dhe ekipet luajnë më shumë për rezultatin.


Cili është roli juaj natyral, në qendër të sulmit apo nga krahët?

Mund t’i luaj të dyja pozicionet, qoftë në qendër apo nga krahët. Më shumë preferoj të luaj si sulmues i parë, por aty ku trajneri do të ketë nevojë për mua unë do të luaj dhe do të jap më të mirën time çdo herë, 100% për ekipin.

Teuta është kampione në fuqi, besoni se mund të fitoni trofe në Durrës?

Unë mendoj se ne mund të bëjmë diçka të mirë. Teuta e bëri sezonin e kaluar, kështu që ata e dinë më mirë se unë se sa e vështirë është të marrësh një titull dhe punën që duhet të bëjmë për të pasur sukses. Me ndihmën e Zotit do të bëjmë mirë.

Kush është idhulli juaj në futbollin botëror?

Dikur kisha shumë lojtarë që më pëlqenin, por dua të veçoj sulmuesin francez, Tierri Henri për klasin që kishte kur luante.