Ndeshja zhgënjyese me Bolonjën konfirmoi se pa një mesfushë të fortë Juve nuk mund të luftojë për titullin dhe Champions-in. E kanë kuptuar të gjithë, aq sa tani objektivi kryesor për merkaton e ardhshme të verës është vendosja e dorës në këtë repart.

Gjatë ditëve të fundit është kuotuar shumë emri i Zhorzhinjos. Italo-braziliani është vendosur pak në hije nga Tuhel në “Stamford Bridge” dhe duke parë edhe situatën e vështirë në të cilët gjendet menaxhimi i klubit të Çelsit, e ardhmja e mesfushorit mund të marrë një kthesë të papritur.

Gjithsesi, në Torino nuk janë të gatshëm për të bërë një sforco ekonomike për një 30-vjeçar dhe nuk ofrojnë më shumë se 10 milionë euro, duke përfshirë edhe kartonin e ndonjë lojtari, ndoshta Adrien Rabionë.

Por drejtuesit e “Zonjës” duhet të bëjnë kujdes sepse nuk janë të vetmit në këtë garë. Sarri, i cili e ka stërvitur Zhorzhinjon si në Londër ashtu edhe te Napoli, do të provojë ta sjellë te Lacio.