Një shembull i paprecedentë vjen nga Qipro. Klubi i Apollon Limassol, tre herë kampion i vendit, i ka dhënë mundësinë tifozëve të zgjedhin 11-lojtarët që do të jenë në formacion në miqësoren-derbi ndërmjet Aris Limassol,takim që do të luhet më datë 9 tetor. Propozimi është bërë në bashkëpunim me aplikacionin Socios.com.

Me tifozët që ende nuk shkojnë nëpër stadium për shkak të koronavirusit, tifozët janë kthyer më shumë tek aplikacionet si Socios për t’u ndjerë të përfshirë me klubet e tyre nga distanca.

Tekniku i skuadrës, Sofronis Avgousti, ka folur për nismën në medium.com: “Si klub duam të kemi një lidhje speciale me tifozët tanë e dëshirojmë që këta të ndihen të përfaqësuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Duke nisur nga kjo miqësore do ti japim tifozëve mundësinë të më ndihmojnë mua e skuadrën. Shpresoj që ta vlerësojnë këtë mundësi e faktin që e marrim parasysh mendimin e tyre”.

Tifozët e Juventusit përdorën aplikacionin për të zgjedhur himnin e ri, si dhe për të vendosur logon e klubit me shkronjën “J”. Tifozët e Barcelonës vendosën vepra arti të dizajnuara nga tifozët në dhomat e zhveshjes, ndërsa tifozët e PSG zgjodhën se kush do të jetë kapiteni i skuadrës.