Wednesday, April 8, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORENdryshime në formacion, ja si pritet të luajë Vllaznia sot

Ndryshime në formacion, ja si pritet të luajë Vllaznia sot

Shkruar nga Endri ÇINARI

Në prag të përballjes së parë gjysmëfinale ndaj Dinamos, skuadra e Vllaznia po përgatitet për një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit. Trajneri Edi Martini duket i vendosur të hedhë në fushë formacionin më konkurrues të mundshëm, pavarësisht disa pikëpyetjeve që lidhen me gjendjen fizike të disa titullarëve.

Në repartin e portës pritet një ndryshim i rëndësishëm. Edhe pse gjatë sezonit është alternuar mes dy emrave, kësaj here sinjalet janë që Jukaj të marrë fanellën e titullarit, duke lënë në stol Pohls. Një zgjedhje që është aplikuar në kompeticonin e kupës këtë edicion nga shkodranët.

Mbrojtja pritet të ndërtohet mbi emra të konsoliduar si Gjini, Çelikoviç dhe Gurishta, lojtarë që kanë treguar stabilitet gjatë sezonit. Ndërkohë, vëmendje e veçantë i kushtohet edhe gjendjes së Bajramit, i cili mbetet në dyshim dhe mund të vendoset vetëm në momentet e fundit nëse do të jetë i gatshëm për të zbritur në fushë nga minuta e parë.

Në mesfushë, situata paraqitet disi më e komplikuar. Aktivizimi i Krymit mbetet në pikëpyetje, ç’ka mund t’i hapë rrugë Salës për një rol titullari. Ky i fundit pritet të mbështetet nga Qato dhe Kallaku, duke formuar një treshe që synon të garantojë balancë mes fazës mbrojtëse dhe ndërtimit të lojës.

Në krahë, gara për një vend në formacion është e hapur. Në të majtë pritet një balotazh i fortë mes Jagos dhe Hakajt, ndërsa në të djathtë Mala duket favorit për të nisur nga minuta e parë. Shpejtësia dhe aftësia për të krijuar hapësira në krahë mund të jenë çelësi për të çarë mbrojtjen kundërshtare.

Edhe në repartin ofensiv priten lëvizje interesante. Dodaj shihet si mbështetësi kryesor i Balajt në sulm, duke krijuar një dyshe që synon të jetë sa më efikase përpara portës. Me këtë formacion të mundshëm, Vllaznia synon të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt finales.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments