Teuta vazhdon me ndryshimet në stafin teknik. Pasi kanë prezantuar Renato Arapin si trajnerin e skuadrës pas largimit të Edi Martini, kampionët në fuqi do të ndryshojnë edhe trajnerin e përgatitjes atletike.

Eduard Salillari që prej dy sezonesh ishte pjesë e stafit të Martinit do të largohet nga ekipi, ndërsa Teuta do të firmosë me Corrado Saccone.

60-vjeçari italian është një emër i njohur për futbollin shqiptar pasi prej disa sezonesh ka punuar te Partizani në rolin e përgatitësit atletik.

Sacone sezonin e kaluar ishte pjesë e Gjilanit në kampionatin kosovar, ndërsa tani do të bashkohet me Teutën dhe do të nisë shumë shpejtë nga puna me skuadrën. Në stafin e Arapit do të vazhdojnë të jenë Bledar Hodo si zv.trajner dhe Rizvani si trajner portierash./newsport/