Vllaznia ndryshoi trajner pak kohë më parë, teksa largoi Mirel Josën, për t’i besuar drejtimin Goce Sedloski. Në lidhje me këtë, në emisionin “SportZone” në MCN TV, foli gazetari i sportit, Maringlen Zhivani.
Ky i fundit deklaroi se trajneri i ri po krijon një atmosferë ndryshe dhe kjo u pa që në fitoren ndaj Erezenit, që la një shije të mirë te tifozët.
Sa i përket largimit të Josës, Zhivani deklaroi se disa lojtarë i kishin dalë kundër dhe harmonia ishte prishur në ekip.
Trajneri Sedloski që në fillim e ka thënë se do i marrin ndeshjet hap pas hapi. Nuk u fokusua te titulli, por tha të mos vendosen në presion lojtarët. Besoj se tifozët i kanë mbyllur shpresat për titullin, ndonëse matematika e mban Vllazninë në lojë ende.
Shkodra gjithmonë ka pasur pritshmëri, qoftë për një Vllazni kampione apo edhe një Vllazni të lojërave sulmuese. Këtë Sedloski e solli që në ndeshjen e parë. Një skuadër sulmuese që nuk e kishim parë që nga koha e Brdaric.
Në seancat e para, trajneri është munduar të krijojë një atmosferë ndryshe. Me Josën harmonia në ekip ishte prishur. Situata kishte shkuar atje ku nuk mban më. Ishin shumë lojtarë të pakënaqur me trajnerin Josa. Disa lojtarë i ishin kthyer kundër.
Sedlooski po mundohet të injektojë një frymë pozitive. Ka ndryshuar edhe skemën, duke kaluar në një 4-2-3-1, me të cilën ka luajtur edhe te Shkupi. Vllazninë që u shfaq ndaj Erzenit, tifozët e prisnin prej kohësh.