Ndryshon në mënyrë të papritur situata e Thomas Strakoshës te Lacio. Ajo që dukej një lamtumirë e sigurt e p[portierit gjatë verës, është kthyer tashmë në një garanci se ai nuk do të largohet nga klubi bardhekaltër, edhe pse është në vitin e fundit të kontratës.
Gjithçka ka të bëjë me mungesën e alternativave për të gjetur një portier në moshë të re dhe me eksperiencë për të ardhmen në këtë klub. Mauricio Sarri kishte kërkuar Kepa dhe emra të tjerë, por secili prej tyre kishte rezultuar me një kosto shumë të lartë për klubin italian, ndërsa dihet që presidenti Lotito është shumë kursimtar.
Në këtë mënyrë, mediat italiane raportojnë se klubi ka vendosur të mos lejojë Strakoshën të largohet gjatë verës, pavarësisht ofertave që mund të marrë për të.
Klubi lacial është gati të rrezikojë ta humbasë me parametër zero në fund të sezonit të ardhshëm. Por në klub kanë bindjen se Strakosha në fund do të rinovojë nëse do t’i plotësohet kërkesa ekonomike me rritjen e rrogës në 2 milionë euro në sezon siç ka kërkuar ai. /vipsport/