Flori Spahija është vetëm 20 vjeç dhe datën 13 korrik 2023 me siguri do ta mbajë mend gjatë. Mbrojtësi i talentuar i Vllaznisë ka debutuar me fanellën kuqeblu pikërisht në një ndeshje ndërkombëtare, të vlefshme për turin e parë të Ligës së Konferencës ndaj Linfildit në Irlandën e Veriut.

Prej gati dy vitesh Spahija stërvitet me ekipin e parë dhe më në fund dje luajti 14 minuta, madje si mbrojtës i majtë, duke zëvendësuar kapitenin Hakaj.

Nga ky krah erdhi edhe ndryshimi i lojës së Vllaznisë, pasi maqedonasi debutues, Darko Dodev, bëri diferencën sa herë prekte topin. Mjaftoi një driblim i tij që të nxirrte me të kuq kundërshtarin dhe më pas të sillte golin e Juriçit.

Vlen për t’u theksuar se paraqitje të mirë bëri për herë të parë me fanellën e Vllaznisë edhe mesfushori Eslit Sala. Debutim e kishin edhe Redon Dragoshi, Konstantin Çeshmedjiev dhe Millosh Stojanoviç.