Ndeshja që u zhvillua mbrëmë në “Air Albania” mes Tiranes dhd Partizanit, jo vetëm që ishte ndeshja që mbylli javën e 6-të të Superligës, por edhe për praninë e shumtë të tifozëve. Derbi që përfundoi në shifrat 1-0 për bardheblutë, shikoi që në stadium të ishte e plotësuar më shumë se 30% e vendeve për shkak të COVID-19.
Sipas të dhënave në impiant kanë qenë të pranishëm 15 mijë tifozë, ku stadiumi ka një kapacitet prej 22 mijë ndenjësesh. Pra qartë është kaluar 30% që lejohet nga ministria e shëndetësisë. Të gjithë janë justifikuar me faktin që ka pasur një leje të veçantë për këtë takim, duke parë interesin e madh të tifozerisë.
Por, nga ana tjetër edhe tifozët shkodranë kërkojnë të tolerohet edhe për ta në takimin e së shtunës në “Loro Boriçi”. Vizitore në Shkodër do jetë Tirana. Dhe për vetë historinë që mbart kjo sfidë, tifozeria shkodrane është shumë e interesuar për të qenë në një numër sa më të madh në stadium.
Në ditët në vijim do kuptohet më qartë se nëse do ketë një leje edhe për ndeshjen mes Vllaznisë dhe Tiranes në fundjavë. Por, nëse protokolli është shkelur disa herë, pse të mos bëhet edhe në Shkodër ? Në një takim që thotë shumë për historinë e futbollit shqiptar, ku interesi është gjithmonë i lartë.
Endri ÇINARI