Zhurma e bërë rreth futbollistit të Vllaznisë Elis Bakaj që nuk pranoi të luante këtë javë ndaj ish- skuadrës së tij, Tiranës, duket se ka detyruar një tjetër futbollist të ndërmarrë të njëjtin veprim. Këtë herë bëhet fjalë për futbollistin aktual të bardhebluve, shkodranin Gilman Lika. Burime pranë familjarëve të tij por edhe shokë e miq të ndryshëm që ka në këtë qytet, bëjnë të ditur se mesfushori i ka kërkuar të njëjtën gjë trajnerit Mirel Josa: të mos jetë në fushë ditën e shtunë ndaj skuadrës së qytetit të tij. Ndonëse, në krahasim me rastin e Bakajt që u bë edhe mediatik, rasti i 29 vjeçarit është lënë në heshtje. Por e sigurtë është se ai nuk do të jetë në fushë ditën pas tre ditësh. Kuptohet që një gjë e tillë nuk është aspak profesioniste por zhurma e madhe që shkaktoi rasti i Bakajt, e ka detyruar edhe Likën të bëjë të njëjtin veprim. Nëse do të luante, padyshim që kjo nuk do pritej mirë nga tifozët e Vllaznisë, madje mesfushori edhe më përpara ka patur jo pak probleme me tifozët e skuadrës së qytetit të tij. Për të gjitha këto, ai mesa duket nuk do të jetë në fushë të shtunën dhe në fakt është e logjikshme. Përderisa Bakaj që nuk është futbollist i rritur tek Tirana, “nuk i bënin këmbët” të luante ndaj bardhebluve, a mund “t’i bëjnë këmbët” Gilman Likës të hedhë Vllazninë nga kategoria?! Natyrisht që jo dhe për këtë arsye, në këtë aspekt duket se “ndeshja e të pamundurve” do përfundojë në barazim. Po ajo e fushës? Të presim!

© shkodrasport.com