Skuadra e Vllaznisë, me në krye administratorin Suad Lici ka arritur të krijojë një grup fantastik në këtë sezon futbollistik. Megjithatë sulmi shkodran nuk ka qenë në nivelet e pritura.
Trajneri Mirsad Jonuz e ka shprehur hapur dëshirën për një sulmues “rrace” dhe në merkaton e dimrit pritet të ndërhyhet. Në Shkodër po qarkullojnë zëra se në orbitën e klubit është Xhevahir Sukaj.
Futbollisti i Flamurtarit ka treguar që vitet që mban mbi supe janë vetëm një numër, pasi në fushë cilësitë e tij janë ende të “gjalla”. Situata në kampin vlonjat s’është aspak pozitive dhe mund të përfitohet pikërisht nga ambienti i zymtë për të rikthyer në shtëpi “djalin” e tyre.
Në këtë sezon, Sukaj është aktivizuar në 8 ndeshje duke arritur të realizojë 3 gola. Sipas newsport.al, eksperienca dhe aftësitë që zotëron, e kanë shndërruar 32-vjeçarin në objektivin e Vllaznisë. Megjithatë periudhat e hyrje-daljeve kanë qenë gjithmonë surprizuese.