Shumë shpejt, madje që më datë 9 mars, pritet që të zhvillohet ankandi për shitjen e Vllaznisë dhe për më tepër Bashkia e Shkodrës do të shesë 100% të aksioneve të klubit.

Grupi i punës që po merret me ankandin, deri tani nuk ka dhënë asnjë emër konkret, për sa u përket pjesëmarrësve dhe ofertuesve.

Megjithatë, emrat e ish-presidentit Valter Fushaj apo sponsorit aktual Alban Xhaferi (me kompaninë që ai menaxhon), nuk pritet që të jenë të vetmit të interesuar.

Nga sa mësohet, përveç këtyre janë edhe 3-4 emra biznesmenësh e firmash që kanë plotësuar procedurat për të qenë pjesëmarrës në këtë ankand. Ajo që do të shikohet është nëse do të jetë një fitues apo një grup që do të marrin drejtimin e klubit.

Tani në Shkodër, përveç vëmendjes që kanë te skuadra, fokusi është përqendruar edhe te shitja e klubit se cili do të jetë emri apo emrat që do të marrin në drejtim klubin e futbollit Vllaznia.