Disfata me Milanin ka shtuar retë e zeza mbi Juventusin në një edicion i cili po mbyllet në mënyrën më të keqe të mundshme. Skuadra ka dështuar në dy objektivat kryesorë, titullin dhe Ligën e Kampioneve, ndërsa rrezikon seriozisht që vitin tjetër të mos kthehet në turneun më të rëndësishëm për klube në Europë.
Në këtë situatë, të gjithë kërkojnë kokën e Pirlos dhe largimin e Ronaldos, i akuzuar se nuk është duke dhënë maksimumin në ndeshjet e rëndësishme. Por duket se në klubin bardhezi po i bëjnë planet ndryshe, ose të paktën kështu e sheh zëvendëspresidenti i Juventusit, Pavel Nedved.
Gazetari i emisionit satirik “Striscia La Notizia” ka dorëzuar sot në klubin torinez disa “Tapirë të Artë” si çmim për lojtarët që kanë dështuar thuajse në gjithçka në këtë sezon dhe ka arritur t’i shkëputë disa fjalë ish-futbollistit i cili u paraqit në emër të skuadrës.
“Ka pak vështirësi, është normale, por do të luftojmë deri në fund. Pirlo do të qëndrojë me siguri dhe Ronaldo gjithashtu”, tha ai. /vipsport/