Neptun Bajko mendon se gara do të jetë e fortë, por sërish Vllazninë e sheh më të favorizuar. Ish-trajneri kampion i Partizanit në sezonin 1986-1987 vlerëson disiplinën dhe lirinë e veprimit te loja e kuqebluve.

“Vllaznia po pasqyron një nivel të mirë loje. Ka një ekip të harmonizuar, luan futboll të pastër dhe shumë, shumë të disiplinuar.

Brenda kësaj disipline lojtarët çuditërisht janë lënë të lirë të shprehin aftësitë e tyre. Kjo është një meritë e madhe e trajnerit dhe ekipit.

Është pak herët për të folur për titullin kampion, qoftë edhe me diferencën që ka krijuar Vllaznia, sepse kampionatit asnjëherë nuk i dihet, por mendoj se ekipet që do ta rivalizojnë deri në fund do të jenë Partizani, Tirana dhe deri diku, nëse ndodhin ndryshime, edhe Kukësi.

Teutën e shoh si një rival të fshehtë, por nuk e di se deri ku do t’i shkojnë pretendimet”, u shpreh 72-vjeçari për “Panorama Sport”