Pavarësisht moshës që nuk flet më në favorin e tij, Ledian Memushaj mbetet një vlerë e shtuar e Shqipërisë dhe një fantazi që i mungon kësaj Kombëtare.

Sa herë futet në fushë ky lojtar, ka një tjetër ritëm të lojës dhe disa krosime të topit, që i japin frymëmarrje sulmit tonë.

Por në takimin e fundit të zhvilluar, një pyetje e drejtuar nga “Supersport” për vendimin e Memushaj nëse do të tërhiqej apo jo nga Kombëtarja, e ka nervozuar disi futbollistin. Përgjigjen më të qartë e ka dhënë në mediat italiane, për të treguar edhe dëshirën e tij.

“Në vitin 2022 do ta mbyll karrierën time këtu, te Peskara. Dua të kthehem në Seria A dhe të luaj në Kupën e Botës në Katar. Ne duhet të jemi të uritur dhe të guximshëm si Interi i Kontes dhe të mos ndihemi asnjëherë të ngopur”, ka thënë Memushaj. /Sport Ekspres/